30
Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.
31
Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,
32
që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.
33
Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.
34
Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t'i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".
35
Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?", po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.
36
Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.
37
Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".
38
Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.
39
Etërit tanë nuk deshën t'i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,
40
duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç'i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".
41
Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.
42
Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t'i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?
43
Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t'i adhuruar; për këtë arsye unë do t'ju shpërngul përtej Babilonisë".
44
Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.
45
Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,
46
i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.
47
Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.
48
Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:
49
''Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?
50
A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?''.
51
O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.
52
Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
53
ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!''.
54
Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
55
Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,
56
dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''.
57
Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;
58
dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.
59
Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''.
60
Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.


