Hapi 195

 

Studimi

     

Psalmet 119:41-96

41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42 Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.

60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.

62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.

63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.

64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.

65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?

85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.